10,881 tatimpagues kanë përfituar deri tani nga falja fiskale, 30 qershori afati i fundit
Procesi i faljes pa kushte të detyrimeve tatimore të papaguara po vijon, ndërsa Administrata Tatimore bën të ditur se mijëra tatimpagues kanë përfituar tashmë nga lehtësitë e parashikuara në ligj.
Sipas të dhënave zyrtare, 10,881 tatimpagues kanë përfituar nga fshirja ose shuarja automatike e detyrimeve tatimore të papaguara, me një vlerë totale prej 4.8 milionë eurosh. Ndërkohë, 6,475 tatimpagues janë çregjistruar automatikisht, në zbatim të përcaktimeve të Ligjit të Faljes.
Administrata Tatimore rikujton se 30 qershori 2026 është afati i fundit për tatimpaguesit që dëshirojnë të përfitojnë nga një tjetër lehtësi e rëndësishme e skemës së faljes fiskale.
Bëhet fjalë për subjektet që kanë detyrime tatimore të papaguara për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019. Këta tatimpagues mund të përfitojnë nga fshirja e 50% të mbetur të detyrimit kryesor (principalit), nëse deri më 30 qershor paguajnë me një këst të vetëm 50% të principalit.
Përveç reduktimit të detyrimit kryesor, ligji parashikon edhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, duke krijuar mundësi për mbylljen e detyrimeve të vjetra fiskale me një kosto dukshëm më të ulët për bizneset dhe individët.
Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të interesuar të mos e lënë procesin për ditët e fundit, pasi pas datës 30 qershor nuk do të jetë më e mundur përfitimi nga kjo skemë lehtësuese.